Zbulim i heshtur

Vala e vështrimit tënd
mbi çdo siluetë kalon,
veç jo mbi mua.

Ujëvara e mendimit tënd
mbi çdo frymëmarrje rrëshqet,
veç jo mbi mua.

Spektri i ndjenjave të tua
te asnjë krijesë tjetër nuk duket,
veç mbi mua.

Por kjo vlen kaq pak.
Ndjenjat s’jetojnë dot vetëm
për një kohë të gjatë …


Të lutem

Mos më shiko më.
Nuk dua që të shohësh mërzitjen time.

Mos më fol më.
Nuk dua që t’i dish brengat e mia.

Mos m’u afro më.
Nuk dua që të kuptosh ndrojtjen time.

Largohu,
të të ndiej se të kam afër !…




Pranë syve të kaltër

Ëndrrat romantike
na përkundin nën reflekset e natës,
qetësojnë stresin e imazheve,
treten në ngrohtësinë e misterit,
përçojnë pafundësisht harmoninë
e ndjesive…
Dhe në vorbullën që na ndan
lë figuracionin e saj më të bukur:
Realitetin në formë ëndrre …


Përpëlitje e nxehtë

Rreze të imta bien mbi ty,
erëra shkretëtire të qarkojnë,
ngadalë të afrohen diej të fshehtë,
ngadalë të përçojnë llava të mjegullta.
Digjesh nga ngrohtësia e trishtimit
dhe e mëkatit...
Po digjesh vetë
dhe prapë të tjerë vazhdon të djegësh …



Veshje mospërfillëse

I vështroj
sytë e tu të errët, të pajetë,
fytyrën tënde të zbehtë, të pashpresë,
mendimet e tua të vrazhda, të ngatërruara,
ndjenjat e tua të vakta, të shkatërruara.
Të admiroj
që të gjej në jetë, kaq indiferent
edhe pse mes të gjallëve, je një i vdekur …


Dëshirë egoiste

Lërmë të të vështroj sytë,
sytë që s’u magjepsën asnjëherë prej meje.
Lërmë të qaj në krahët e tu,
në krahët që s’më përqafuan kurrë.
Lërmë të ëndërroj në botën tënde,
në botën që s’më bëri kurrë të sajën.
Lërmë...
që të mund të të lë!



Lodhja e së shkuarës

Kujtoja drithmën e vetmisë sime,
sillja ndërmend terrin e pikëllimit tim.
Kujtoja ftohtësinë e vdekjes,
sillja ndërmend zhgënjimet pambarim.

S’e di sesi harrova të të kujtoja Ty,
kryehidhërimi im.
Ndoshta e shkuara
s’donte të ma rikthente
dhimbjen që më shkaktoi
kur të humba Ty …



Ditë dhe netë të trishtuara

Netët e errëta i kam frikë,
sidomos kur fillojnë të zbardhen.
Ditët e ndritshme më trishtojnë,
por më tepër, kur nisin të errësohen.
Ndryshueshmërinë ditë – natë
përpiqem ta largoj tej
që të mos kem më frikë.

Trishtimi im kërkon të godasë
të bukurën dhe të shëmtuarën
pa dëmtuar asnjërën
ose duke i prishur të dyja! …





Psherëtimë

Kur errësira të hyjë në tunelet e ditës,
një shkëndijë e purpurt do të zgjojë hënën.
E kjo shkëndijë je Ti.

Kur vuajtjet të mpleksen në vatrën e shpirtrave,
një ylber i artë do të sjellë në jetë optimizmin.
E ky ylber je Ti.

Kur vdekja të përshpërisë në jetën e një njeriu,
një ëngjëll i bukur do t’i japë frymëmarrje qielli.
E ky ëngjëll je Ti.

Je kaq larg e përsëri i sjell mrekullitë pranë...
Po pranë nesh, kush mund të të sjellë ty vallë?




Kur i përkas mërzitjes

Drita rozë largohet nga unë.
E ndiej trishtimin e saj të vakët.
Meteorë blu bien rreth meje,
rrënqethem nga ideja
e përplasjes së tyre mbi mua.
Mendime të errëta rebelohen brenda meje,
përjetoj lëvizjen e tyre egoiste dhe sfiduese.

Do të ndeshem me to përherë
përderisa janë të tilla …






Më thuaj

Çfarë mund të bëj
që të takoj imazhin tënd përsëri?
Indiferent si fati i të dështuarëve
ti shumëfishon linjën e largësisë.
Të ftohta si ngricat e poleve
as ëndrrat s’ma japin më këtë mundësi.

Si mund të të kem pranë meje edhe njëherë?
T’i njoh sërish të fshehtat e bukurisë mahnitëse
si rrëshkitja e lotit ylber…
T’i kuptoj trillet e fantazisë shfrenuese,
vezulluese si perla në zinxhirin e përjetësisë...

Zhurmshëm vazhdon të heshtësh ….

Më thuaj atëherë, si mund të të harroj?
Nëse do të mundem të të harroj !….




Dua padashur

Dua të të largoj nga parku i qetësisë sime,
më shqetëson vranësia që sjell ti mbi të.

Dua të të përcjell përtej liqenit të ngrohtësisë sime,
më acaron furtuna që vjen bashkë me ty.

Dua të të them lamtumirë në rrugën e ndarjes,
më mërzisin dyshimet e tua si mjegull vjeshte.

E di që asgjë e tillë s’do të ndodhë.
Unë thjesht dua …





Monotoni e përkohshme

Një muzikë e vjetër dëgjohet diku larg,
tepër e mplakur për t’u pëlqyer.
Hapa balerinësh ndjekin ritmin e saj,
e pamundur të të bëjnë përshtypje.
Buzëqeshje përkëdhelëse gërvishtin lehtë ajrin,
përsëritja e tyre në shekuj tashmë të nervozon.
Të puthura të dashuruarish pikturohen në
peizazhin e ditës,
ato s’mund të ringjallin më jetën e dobësuar.

Monotonia ka fikur sinjalet
e çdo mrekullie që ndodhte më parë ….



Poshtërsi

T’u nënshtrova
për të parë një buzëqeshje te ti.
U çorra
për të më thënë një fjalë gri.
Dhimbja më çliroi lotët
për të parë në sytë e tu meteorët.
Dhe kur e lumtur t’u afrova
ti provokove një trazirë
dhe më the:
“Lamtumirë!”



Dashuria ime e parë

Dashuria ime e parë …
një dritë qiellore
pas një errësire të gjatë;
një dallgë ndjenjash
në brigjet e lumturisë njerëzore;
një melodi ngazëllyese
në sallonin e moshës së artë.
Dashuria ime e parë …
e mbetur në gjurmët e luginave të ngrira,
e mbytur në honet e errëta të oqeanit,
e perënduar në skllavërinë e panoramave
të krisura …
Dashuria ime e parë ….
ke kohë që ke vdekur.
Tani s’je më asgjëkundi.
Të urryen, të mohuan, të vranë …



Natë emocioni

Fytyra ndriçohej lehtë,
shpirti dridhej në fluturim,
fishekzjarret shpërthenin si vullkane
dritash…
Gëzim... Frikë…
Pastaj muzikë…
Një ëndërr nisi të jetojë…





Humbje

Humbën ato ditë të bukura
në terrin e përjetshëm të natës.
Ikën tepër larg.
U bënë të pakapshme.

Ato ditë të veçanta, si ishuj të rrallë
humbën në hapësirat e oqeanit
U fundosën shumë thellë,
s’i gjej dot kurrë.
Muzika e jetës u shpërbë në tingëllima
memece.
Humbi ditëve e viteve, viteve e ditëve
dhe s’e dëgjoj dot më.





Shpresë

Dashurinë e mori qielli,
natyrën e fundosi deti,
shpirtin e varrosi toka.

Po ëndrrat ku janë?
A jetojnë më?

Ëndrrat janë tepër të mëdha për të vdekur.
Shpresat që ato lindin, emocionin e jetës,
përpiqen të ngjallin …



Të shoh

E shoh lindjen tënde të brishtë
si gonxhe në tokën e gjallë të ndjenjave;
pamjen tënde medituese
si pikturë në atelienë e ndritshme të qiejve;
brendësinë tënde të dlirë
si thesar në paprekshmërinë e bekimeve.
Të shoh
dashuria ime e parë …

Shoh kuriozitetin në guaskën e ndrydhjes,
enigmën në mërgimin e jehonës,
pasigurinë në portën e ndërgjegjes.
Të shoh
dashuria ime e vetme ….

Shoh vuajtjen tënde në qerthullin e pasionit,
skeletin tënd në shtratin e pafajësisë,
shenjtërimin tënd në ngjizjen hyjnore.
Të shoh
dashuria ime e përjetshme.

Të shoh brenda meje,
të shoh kudo jashtë meje,
të shoh përherë
dashuria ime e parë,
e vetme,
e përjetshme …




Pak qetësi

Do të flesh i qetë
si një konfigurim planeti
në skemën e qiellit.

Do të flesh i qetë
pa dashur t’ia dish
për lotët e mbetur në tentativë,
qirinjtë e pandezur në kisha,
sekretet e dergjura në errësirë…

Do të flesh i qetë
pa menduar sërish
për stinët e gjallëruara në peisazhe,
trofetë e arritura në vite,
dashurinë e premtuar mbi këtë tokë…

Pak qetësi…
Nesër fillon dita përsëri …



Donte jeta …

Si morën fund kështu ditët tona?
Zgjoheshim nën vezullimet e ngrohta të diellit.
Ecnim në udhët e pafundme që koha formonte.
Luanim të lumtur në çdo park që jeta
na dhuronte.
Përqafoheshim ngrohtësisht si juga pranverore.

Si morën fund kështu netët tona?
Sodisnim vezullimet e yjeve pafund.
Vallëzonim në pistat e ndezura nga muzika.
Përkundeshim mbi balonat ëndrrimtare.
Putheshim furishëm si dallgët e detit.

Si mbaruam kështu së jetuari së bashku?
Ndoshta pa dashjen tënde,
ndoshta pa dashjen time,
ndoshta donte jeta …



Zbrazëti
Rrugëve të thinjura nga bora
s’më shoqëron asnjëri.
Udhëve të pashkelura nga mallkimi
s’më pret asnjë bekim.
Maleve të shkarravitura nga skiatorët
s’takoj më magjitë.
Podiumeve të pushtuara nga manekinet
s’gjej asnjë model.
Teatrot e rrënuara nga tragjeditë
s’më sjellin melankolinë.
Shfaqjeve të përfshira nga entuziazmi
s’u kuptoj suksesin.

Nën dhé, ti jeton mes të vdekurve.
Unë vdes mes të gjallëve, mbi dhé!
Çdo gjë tjetër le të ndodhë…
S’më ndikojnë veçantitë.
Për mua, tani s’ka më asgjë rëndësi …




Paraja

Paraja!
Sekreti i udhëve të arta
për ne të varfërit e botës.
Lindja e mëngjeseve të shpresës
për ne të plagosurit e shekujve.
Brilanti i kurorave të magjishme
për ne të paralizuarit e kohës.
Pasqyra e ëndrrave të përjetshme
për ne protagonistët e heshtjes.
Dhe kur ashtu të mjeruar ishim,
me zërin e vetvetes thoshim:
“Ah, sikur ta kishim!”
Paraja!
Pagjumësia e netëve të gjata
për ne vipat e kazinove.
Frika e së ardhmes plot ankth
për ne kolosët e botës.
Intriga e vilave të bardha
për ne të pasurit e epokës.
Tharma e kronikave të zeza
për ne pulset e Tokës.

Dhe kur ashtu të fuqishëm ishim,
brenda nesh thoshim:
“Ah, sikur të mos e kishim!”




Të pres

Pa ty i dashur,
e vetmuar më tepër se çdo i braktisur
ndihem,
e trishtuar më tepër se çdo jetim jam,
e harruar sikur s’ekzistoj,
e mpirë si një trup në agoni.

Të pres ty,
dashuria ime,
ëndrra ime …
Pa ty,
as mund të vdes …




E pambrojtur

Mërdhij
duke ndjerë ngrohtësinë.
Trishtohem
duke përjetuar gëzimin.
Hesht
duke bërë dashuri.
Harroj
duke përbuzur kujtimin.

E pambrojtur
mes ftohtësisë së ngjarjeve …





Një çadër e zezë

M’u afrove me konturin tënd krejt të zbrazur
Më përkëdhele me duart e tua
të skicuara me violencë
Më puthe me buzët e zhveshura, me ironi tallur
Më kujtove kohërat e ngujuara në harresë.

Të largova me gjithë kundështinë e qenies sime
Të kujtova vitet dyshuese për vetekzistencë
Të thashë se s’mund ta harroja atë braktisje
Të fola, të fola... por, si gjithmonë s’ta plagosa
dot zemrën!

Më bëre sërisht të nënshtruar
Më gënjeve me seriozitet në tretje
Më hodhe çengelat e figurës sate të robëruar
Më mundove, më shkatërrove derisa më bëre
skllave deri në vdekje!





Lotë me ngjyra

I druhem gjithmonë refleksit të syrit
Ai mund të më mohojë
dëshira të sapolindura.

Vazhdimisht i rri larg
vyshkjes së vështrimit
Ajo errëson romancat e emocioneve
të mitura.

Lotit i fshihem përherë
Ai është me ngjyra …




Natë e bukur

Është natë e bukur.
Errësira tretet me borën e maleve,
njësoj si ngjyrat në krahët e një fluture.

Është natë e bukur.
Avionët çajnë në qiellin e pafund
e dritat e tyre shfaqen si yje të këputur.

Është natë e bukur.
Era pështjell mbrëmjen e ftohtë,
si shalli supet e një vajze të lumtur.






Karuseli

Karuseli lëviz shpejt e ngadalë
edhe kur të qeshurat e fëmijëve qiellin çajnë.

Karuseli lëviz shpejt e ngadalë
edhe kur në kapsulat e tij njerëz qajnë.

Karuseli lëviz shpejt e ngadalë
edhe kur provon tek ai ndjesi të rrallë.

Karuseli lëviz shpejt e ngadalë
çfarëdo ambjenti të ketë pranë ...




Ç’mendojnë për të?

A mendojnë se qe neutrale,
neutrale që s’i intereson askujt?

A mendojnë se qe si dritë e bardhë,
si një dritë që s’kthehet në spektër?

A mendojnë se qe si ëngjëll,
si një ëngjëll që përjeton agoni?

S’hyj në botën e opinionit,
prandaj s’e di.







Kohë të varfra moderne

Shkruaj me një laps të zi,
që në nëntrup bubullon
zjarr që të shndërron në hi.

Kur e vendos lapsin mbi letër,
ai lëshon gjurmët që i lë vera vreshtës …

I çuditshëm lapsi i poetit,
por më e habitshme letra e shpirtit të tij,
që s’do ta pranojë realitetin …




Lotë mbi zjarre diellore

U lodha me parakalimet e jetës
U lodha me buzëqeshjet e natyrës
U lodha me provokimet e humnerës
U lodha me reflektimet e pasqyrës
U lodha me heshjen e qetësisë
U lodha me dridhjen e frikës
U lodha me ëndrrat e mrekullisë
U lodha me opozitat e politikës.

E megjithatë, sërisht duhet të jetoj
nën klithjet që lanë ferri e parajsa
kur u pagëzuan,
përderisa nuk janë lodhur ato me mua!...





Letërsia

Arti i shkrimit ngriti themelet
në shkretëtirat e lagështa,
në plejadat me qirinj të zjarrtë,
në galeritë e botës moderne,
në koordinatat që zgjaten përtej nesh …

Arti i shkrimit përcaktoi rrjedhën e jetës
nes korenteve më ekstreme,
për t’i falur njerëzimit
ngjyrat më të ndezura të shpërthimit
nga tërmetet më të paimagjinueshme
të universit.




Një kryq bukurisë dhe lumturisë

Qielli u ngjyros me të purpurtë,
pemët hodhën të gjelbrën mbi vete,
zogjtë u kthyen shëndeverë,
lulet çelën sythat e ylbertë.

Fiskajat e mendimeve u mbushën me optimizëm,
ndjenja braktisi çdo notë të rëndomtë.

Dhe në fund,
kjo pikturë, pa pesimizëm,
u plotësua me një kornizë të zezë!




S’më doje më

Vështrova fotografinë tënde,
të putha,
buzët m’u plasaritën.
Preka fytyrën tënde,
duart m’u rrudhën.
Të shikova ngultas,
lotët më trishtuan sytë.

Ti …
s’më doje më.



Mendoj për ty

Ditën …
mendoj për ty
dhe flakën e ndjenjave të mia
e shoh te dielli …

Natën …
mendoj për ty
dhe flakën e ndjenjave të mia
e shoh te yjet …

Mendoj për ty ditën
Mendoj për ty natën
Ti për mua …
s’mendon kurrë !…




Kur mbytesh nga dhimbja

Po të prisja në aeroport
nën hënën e lagur me lotë.
Herë bëja ecejake, derdhesha në padurim,
herë bëhesha e heshtur, e mpirë.

Dhe këtu ngeli poezia ime,
s’vazhdoi dot,
sepse shpeshherë dhimbja të bën të ngecësh
e të thotë: Vazhdo me lotë!




Dashuria

Dashuria – një shandan madhështor
i varur në universin e mrekullive,
një shandan me gurë të çmuar,
që krisen shpejt …..
Dhe po u thye …
Ç’mendoni ju se mbetet pastaj?



Peisazh natyre shpirtërore

Gjethet e pemëve po grisen,
bien mbi qirinjtë që po fiken.

Spektri po rrëzohet i heshtur
dhe bie mbi mjegullën e fjetur.

Unë
në nxehtësinë globale,
Ti
në heshtje polare.



Ti

Ti ishe ai që ma bëje jetën më të bukur,
që më bëje të ndihesha si në “World Disney”

Por ti një ditë më hidhërove pamasë,
ma errësove mjedisin përreth.

Megjithatë, s’munde të më fikje.
Universi tokësor për mua ka drita
dhe ai qiellor ka yje! …







Dashuri e pastër

Kalova mendimin
në hapësirën e yjeve.
Hodha vështrimin
në fasadën e diejve.
Ngula lapsin
në kuadratet e izomerëve.
Dhe shkrova historinë tonë
në faqet e pergamenëve.





Vetmi e pashmangshme

U nisëm në një udhëtim të dy bashkë,
secili mbi një pulëbardhë.
Fluturonim drejt ëndrrave të kaltra,
drejt yjeve që s’bëheshin kurrë meteorë,
drejt një bote me kopshte trëndafilash,
drejt parajsës me melodi qiellore…

Po fluturonim lart, shumë lart...
Dhe në çastin kur po kapnim mrekullitë,
pulëbardha jote, hidhërueshëm filloi të qajë...







Dashuri e ndaluar

Përhumbje dritash
në netë të trishta u vijëzuan.
Shkëlqime hijesh
në muzgje verore u ndriçuan.

Dhe të gjitha këto u krijuan
për të më thënë se dora e ndjenjës sime,
kishte kapur një mollë të ndaluar …




E bardha na bashkoi, e zeza na ndau

Kështjella e ëndrrave ishte e bardhë,
pasqyrë e nisjes sonë të parë.

Kupola ishte krejt e zezë
si krateri i fundit që u ndez.









Dashuria – Enigmë

Molekulat e lotit zbritën shkallët
për t’u ulur nën fokusin e syve të mi.
Gjurmët e tyre ngritën kujtimet, dallgët,
që harresa i kishte murosur në vetmi.
Lotët tradhëtuan në padurim.
S’i rezistuan fshehtësisë,
asaj humbëtire.
Ndaj tretën zinxhirin e fundit që i mbante
për të treguar një histori të bukur dashurie…







Plagët e së kaluarës

I hodhe lapsat që zbukuronin
kuarcet e veçanta të syve artistikë,
I dogje rimelet e shtrenjtë
në flakët e pasionit tënd të rrudhur,
I zhduke buzëkuqët që rikthenin në botë
shekujt lirikë,
I përvëlove solucionet e salloneve
në rrugët e një vullkani të shthurur.
Shpirti yt qau i mrekulluar
nga bukuritë natyrore.
Harmonia e sinqeritetit të tij
gjeti imunitet në një fytyrë të rrallë.
Por legjendën e tragjedisë së brendshme
s’mundi ta shndërronte në kthjelltësi përrallore.
Dashuria e braktisur e kishte shkatërruar mirësinë
shumë vite më parë ...



Nënë

Dielli shkrihet mbi buzët e tua
dhe u jep nuanca të veçanta fjalëve që thua.
Bota brilante fsheh ngjyrën në sytë e tu
dhe të jep optimizmin për të mbijetuar.
Errësira vegimtare rrëzohet mbi flokët blu
dhe të jep hijen qiellore prej perëndeshe.
Konstelacionet e yjeve bien në shpirtin tënd
dhe hyjnizojnë emrin:
NËNË!







Ç’ekuilibrim

Një zog i bukur sfidon stalagmitet e qiellit
dhe më pas vjen në dritaren time.
Ashtu papritur filloj miqësinë me të
e kjo lidhje mund të vazhdojë pafundësisht …
Ah, sikur të ndodhte kështu edhe me njerëzit!
Ndonjëherë, edhe vetë shpirtin po t’ua japësh,
të harrojnë përjetësisht …




Shkela

Shkela në gjurmë të zeza
Shkela në dhoma të zeza
Shkela në fusha të zeza
Shkela në ëndrra të zeza

Shkela në gjithçka të zezë
Dhe s’u nxiva asnjëherë!








Ç’është njeriu?

Rrethohemi nga një mantel hyjniu
si dhunti a si mister,
por përsëri pyesim:
“Ç’është njeriu?”
Një diell i shkëlqyer në sistem
Energji që shkëmben ndjenja të zjarrta
Dritë që zgjidh të panjohurën në një problem,
Vezullim ndriçues për mendimet e vakta.
Njollë e zezë që vret.
Eklips që tret mes kuadratesh jete
Hije që të thotë: “Hesht!”
Natë që të kthen në sozi vdekjeje.
Qiell i zi i çarë nga retë
Fushë e mbytur nga thika
Zog i plagosur nga një shigjetë
Guvë ku nuk hyn dot drita.
Por … përsëri është pas një mantel hyjniu …
ndaj pyesim aq shpesh:
“Ç’është vallë njeriu?”



Me zërin e shpirtit

Dy pika lotë
u krijuan në sytë e mi.
Ashtu të vetmuar erdhën tek ti
e çelën mbi varr dy trëndafila të bukur.
Me zërin e shpirtit ata do të flasin
çdo ditë që do të vijë …






Lumturi e hidhur

Për ty ndezi Olimpin e shpirtit,
Akordoi lumturinë në kitarën e jetës tënde,
U fal në altarin e besimit
Dhe u tret në tragjizmin e bohemës …
Për të, ti këpute lulet e botës tjetër,
Le mënjanë indiferentizmin e adoleshencës
Hodhe dritë në pishtarët e përjetësisë
Dhe rimove akustikat grishëse
në më të bukurat planete …
U deshët të dy kaq shumë,
kaq shumë …
Por, për përjetimin e vërtetë të shpirtit tuaj,
njëri-tjetrit s’i folët kurrë...



Nëse gjeni …

Nëse gjeni metatezën e lumturisë
Nëse gjeni kuptimin e metaforës
Nëse gjeni alabastrin e madhështisë
Nëse gjeni shëmbëllimin e ëngjëllores
Nëse gjeni piruetën e peisazhit
Nëse gjeni akuarelin e shkëndijës
Nëse gjeni fletë-lëvizësen e mallit
Do të njihni botën e çiltër të fëmijës!



Jeto me mua

Trenat e lamtumirës do të udhëtojnë
mbi gjurmët e plagëve.
Vetëtimat e keqardhjes do të burgosen
në enigmën e harresës.
Stacionet e përjetësisë do të zbukurohen
nga mëkatarët e talentuar
Atëherë ti do të zbresësh katet
në kullën e dashurisë …
Të lutem, jeto me mua edhe një orë,
edhe një ditë!
Të lutem të harrosh se ëndrrat s’realizohen!
Të lutem të besosh se
të dashuruarve s’ua mbyllin dot sytë! …



Dashuri me keqardhje

Ndeza qirinjtë më të thjeshtë,
por më të bukurit
për ditëlindjen tënde të fshehtë.
Hapa katalogët më të brishtë,
por më të fundit
për të zgjedhur një dhuratë të shenjtë.
Iu afrova telefonit,
për të të kujtuar se të prisja
dhe kuptova
se qirinjtë duhej t’i fikja …






Idhull

Galaktika gradoi krahët e saj
e nën flakën e një melodrame të dyanshme
ato u rrotulluan herë shpejt, herë ngadalë.
Blloku i ndjenjave shpërthyese dhe të brishta
hapi fletët
dhe dëshirat fluturuan tek ëngjëjt vegimtarë …
Dielli plastifikoi natyrshëm llavën e tij
mbi këto valëzime trupore
për t’i dhënë ekzistencave të magjishme
entuziazmet e pafundme qiellore.
Dhe krahët u ngritën hyjnishëm
mes fishekzjarreve,
mes triumfeve,
mes lumturive,
për të të lartësuar ty mrekullisht
me unifikimin e së vetmes rreze përjetësie ….



Shpirti

E hapa sërisht dritën e abazhurit
E ripërsërita mbylljen e saj
për të lënë një fjollë tjetër tym duhani
në atë distancë të vogël
që më linte përherë autoditari...







Disa mendime për...


“Poezitë janë me të vërtetë një univers i
pakrahasueshëm. Mund t’i quaj pa frikë korpuse të
madhërishme të zemrës …”
Irena

“Maniela, megjithese nje shkrimtare në hapat e
para drejt botës letrare, i përket kontinentit te ri
të letërsisë moderne e filozofike, një kontinenti që,
megjithesë e re, ajo ka ditur t’ia zbulojë dëshirat,
shqetësimet, ëndrrat …”
Klorinda

“Mund ta pranojmë letersinë e saj si një dallgë
që ka nxjerrë shprehje të një realizmi magjik, të
mrekullueshëm, fantastik …”
Ledia

“Me këtë libër Maniela ka gdhëndur emrin e saj
në shtëpinë letrare të kohës …”
Marsel

“Ëndërrimi, si pjesë e pandashme e jetës
sonë,duket se vjen në formën e një vullkani në
poezitë e këtij vëllimi dhe llava e tij bën që secili
prej nesh t’i ndjejë e vlerësojë ndjenjat...”
Matilda

Disa mendime për...
“Këtë botim mund ta shohim nga këndvështrime
të ndryshme e mund të kuptojmë se personazhen e
gjejmë herë të frikësuar, herë të vetmuar e në
dyshim, por, më shumë ajo është e dashuruar dhe e
rilindur në pasqyrat e shumta që veshin muret plot
vizione jete të poezisë së saj...”
Anila



Vëllimi poetik nga
Maniela Hoxholli
Redaktore
Dr. Vjollca LUBONJA
Korrektore letrare
Evis HIZMAJ
Arti kompjuterik
Tina THIMO
C Autorja
Botimi i parë 2009
Përgatiti për botim
Shtëpia Botues “ELVE”
Rr. “BUDI”, P.85/6, Ap. 10, Tiranë
Tel. & Fax. 2450326
Cel. 0692348835